Plot 10 vite më parë kalaja e Akrolisit në Lezhë është shitur! Monumenti i kulturës së kategorisë së parë është kthyer në pronë private, duke u shpërfytyruar tërësisht, pasi i janë zhdukur gjurmët historike e vlerat që mbartte e përcillte.
Blerësi i saj ka paguar për këtë “pronë” 144 mijë lekë të reja ose 1 milionë e 440 mijë lek të vjetra, siç mund të shihet edhe nga faksimilja që Gazeta boton sot. Qyteti i Akrolisit përmendet nga Polibi që në vitin 250 para Krishtit, si një qytet i pushtuar nga Filipi i V i Maqedonisë. Është pikërisht kjo histori dhe vlerat e saj për ne, çka e bëjnë të çuditshme këtë shitje kalaje antike, e aq më tepër nëse kemi parasysh se pas shitjes, shihen vetëm rrënoja kalaje dhe antena kryelarta. Kalaja e Akrolisit ndodhet mbi gërmadhat e malit Shelbuem në Komunën Kolsh, Lezhë, dhe për shkak të vlerave të veçanta arkeologjike dhe historike është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë në datën 17 mars të vitit 1948.
Skandali i Akrolisit: Apollon Bace denoncon deputetin e Lezhes
Duke e konsideruar këtë si një veprim të jashtëligjshëm, Apollon Baçe, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës ka bërë një kallëzim penal ndaj blerësit të kalasë së Akrolisit. Sipas faksimiles së kallëzimit penal, rezulton me blerësi është subjekti me emrin “Iridiani&Kadeli Sh.p.k” që, sipas IMK-së, është në pronësi të deputetit të Partise Socialiste, Gjovalin Kadeli. Ky i fundit akuzohet për “shkatërrim të veprave të kulturës”. Kallëzim penal Baçe ka ngritur po ashtu edhe ndaj drejtorit të Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për mosveprim duke sjellë dëmtim të monumentit të kulturës.
Në vazhdën e ‘fajtorëve’ për këtë shitje të panatyrshme, Baçe ka akuzuar për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës” dhe të “shkatërrimit të veprave të kulturës” të parashikuar nga neni 160 i Kodit Penal, Komunën Kolsh, Lezhë, për dhënien e akteve të pronësisë në favor të subjektit “Iridiani & Kadeli Shpk”. Sipas Institutit të Monumenteve të Kulturës kjo është bërë në kundërshtim me ligjet në fuqi. Por veç në kallëzim penal, komuna del fajtore edhe për mosveprim nga ana e saj për ndërhyrjet e bëra në monumentin e kulturës në juridiksionin territorial të kësaj komune duke dëmtuar rëndë monumentin.
Kalaja me antena
Por, përveç shitjes ç’ka ndodhur në kalanë e Akrolisit? Kodra e Shëlbuemit në Kolsh të Lezhës, është kthyer në një stacion antenash televizive e po ashtu stacion antenash të kompanive telefonike në vend. Siç mësohet nga IMK, pas blerjes së hapësirës në Kodrën e Shëlbuemit, pronari i ri e ka kthyer atë në stacion antenash duke iu marrë secilës kompani televizive a celulare, qiranë për mbajtjen e antenave që përcjellin sinjalin e tyre në zonë. Siç thuhet në kallëzimin penal të IMK-së vendosja e këtyre pajis-jeve dhe strukturave metalike është bërë në kundërshtim me Ligjin nr. 9048 dt. 07. 04. 2003 ‘Për trashëgiminë kulturore’, neni 29, duke gërmuar, betonizuar dhe duke ndërhyrë në monument, ç’ka ka sjellë si pasojë dëmtimin e pariparueshëm të monumentit. Këto dëmtime janë konstatuar dhe nga inspektimi i datës 30.03.2009 nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Tiranë.
Në kallëzimin penal të IMK-së, thuhet se shfrytëzimi i monumenteve të kulturës bëhet vetëm pasi të jetë marrë miratimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve për lidhjen e kontratës së shfrytëzimit ndërmjet palëve dhe kjo kontratë duhet të lidhet ndërmjet ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe përdoruesit të monumenteve”. Nga ana tjetër, legjislacioni shqiptar thotë se “çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture ose në zonën e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm”. Në kallëzim citohet edhe Ligji i Trashëgimisë, ku thuhet se “dëmi i shkaktuar në objektet unikale të trashëgimisë kulturore përbën në çdo rast vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit penal.”
Kërkesa
Siç shihet edhe nga kallëzimi penal, një kopje e të cilit i është drejtuar edhe kryeprokurores së vendit, z. Ina Rama, DRKK Tiranë ka informuar në mënyrë të vazhdueshme Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore në mënyre të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë nëpërmjet titullarit të dikasterit, por për zgjidhjen e problemit nga ana e tyre nuk është ndërmarrë asnjë veprim, duke e lejuar dëmtimin e mëtejshëm të monumentit.
Sipas ligjit “Për trashëgiminë Kulturore” i ndryshuar “Dëmi i shkaktuar në objektet unikale të trashëgimisë kulturore përbën në çdo rast vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit penal. Për sa më sipër, në kallëzim penal, thuhet se Instituti i Monumenteve të kulturës, kërkon fillimin e çështjes penale ndaj personave përgjegjës të sipërcituar, për veprat penale të “shkatërrimit të veprave kulturore” parashikuar nga neni 160 i Kodit Penal dhe për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. (Gazeta Shqiptare / Lezha.eu)